A ndikon intoleranca ushqimore tek diabeti?

A ndikon intoleranca ushqimore tek diabeti?
27 Mar 2023

Të ushqehesh shëndetshëm është e rëndësishme pavarësisht faktit nëse jemi apo jo me diabet. Ushqimet që zgjedhim të konsumojmë në regjimin e përditshëm bëjnë diferencën jo vetëm në menaxhimin e diabetit por edhe në mënyrën si ndihemi dhe sa energji kemi për të përballuar ditën. Intolerancat ushqimore janë rezultat i një keqfunksionimi të organizmit dhe lënia pas dore e këtij fakti mund të vendosë seriozisht në rrezik shëndetin tonë.

Në një studim të kryer në SH.B.A , testet gjenetike në 20.000 persona, zbuluan se individët me diabet tipi 1 dhe sëmundje celiake kishin të përbashkëta shtatë rajone të pazakonta gjenetike që nuk ishin prezente tek individët e shëndetshëm. Intolerancat ushqimore shpesh të padiagnostikuara dhe të patrajtuara, mund të dëmtojnë qelizat me kalimin e kohës. Diabeti me fillim të hershëm ndodh kur sistemi imunitar i trupit gabimisht sulmon në pankreas qelizat që prodhojnë insulinë, e cila nevojitet për të kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak. Kjo sëmundje mund të shkaktojë komplikime të tilla si: verbëri, mosfunksionim të veshkave dhe infarkt të muskulit të zemrës. Gjenetistët vazhdimisht janë në kërkim të faktorëve që nxisin shfaqjen e diabetit tipi 1 në regjimin ushqimor.

Ende nuk ka një studim të mirëfilltë përsa i përket vendit tonë. Duke iu referuar të dhënave nga Britania e Madhe duket se ka një rritje dhjetëfish të personave me intolerancë ushqimore në 25 vitet e fundit. Një pjesë e madhe e problemit është se ne po i ngopim fëmijët tanë me kimikate sepse ushqimi që konsumojmë nuk është më bio, është thjesht një grumbull aditivësh ushqimorë, ngjyruesish dhe aromatizuesish. Margarina, qumështi i modifikuar, ëmbëlsuesit artificialë dhe gjithcka e ngjashme me to që është shtuar në dietë këto 25 vitet e fundit kanë rezultuar në sisteme imunitare hipersensitive që reagojnë ndaj cdo gjëje që personi ha.

Arsyeja për shfaqjen e intolerancave ushqimore mund të jetë për shkak të stresit të jetës moderne, aditivëve ushqimorë dhe ndotjeve. Se si këto influencojnë ekzaktësisht diabetin mbetet për t’u studiuar më tej.

Leave a comment

X